Shqipëria nis projektin e parë për energjinë nga era me mbështetje zvicerane

Article, 12.01.2021

2021 do të sjellë ankandin e parë për energjinë nga era në Shqipëri, pjesë e mbështetjes së nismave për energjinë e rinovueshme përmes bashkëpunimit të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë 

San Gorgonio Pass wind farm, California, USA
Central i energjisë nga era në San Gorgonio, Kaliforni, SHBA. ©Eric Wilde / Wikipedia

Shqipëria njoftoi planet për fillimin e një ankandi për ndërtimin e centraleve të energjisë nga era. Ky do të jetë projekti i parë në vend që do të përdorë erën për prodhimin e energjisë, duke kontribuar për më shumë qëndrueshmëri dhe diversitet në furnizimin me energji.

Ankandi që pritet të lançohet gjatë pjesës së parë të 2021 është mundësuar nga Sekretariati Zviceran i Shtetit për Çështjet Ekonomike (SECO), si një hap i parë në serinë e planifikuar për investime në energjinë nga era me nismën e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe qeverisë së Shqipërisë.

“Jam i lumtur që ky ankand novator për energjinë në Shqipëri do të kontribuojë për të përmirësuar furnizimin me energji të qëndrueshme, do të rrisë elasticitetin ndaj ndryshimeve klimatike, dhe do të reduktojë nxjerrjet nga gazet serrë. Ky është një model frymëzues për të promovuar transparencën, konkurrueshmërinë, dhe pjesëmarrjen e sektorit privat, gjë që do të nxisë nisma të reja për të përshkallëzuar investimet në energji të rinovueshme në vend”, tha Patrik Meier, Zv. Kreu i Misionit në Ambasadën e Zvicrës në Shqipëri.

Matteo Colangeli, Kreu i BERZH në Shqipëri, tha: “Jemi të kënaqur që zgjerojmë partneritetin me autoritetet shqiptare për të hapur sektorin e energjisë nga era, në vijim të përvojës së suksesshme me energjine diellore. Kemi besim se tendera transparentë dhe të pergatitur mirë do të sjellin çmime tërheqëse të energjisë dhe investitorë cilësorë në Shqipëri”.

Ankandet e energjisë janë tashmë një standard për zbatimin e projekteve të energjisë së rinovueshme: ato sigurojnë konkurrencë, transparencë, ulje të kostove dhe përfshirje të sektorit privat. Mbështetja zvicerane bëri të mundur studimin paraprak i cili hartëzon vendet e mundshme për centrale të energjisë nga era në Shqipëri, si dhe rekomandon se si duhet kryer procesi i ankandit. Mbështetje e mëtejshme do të jepet për institucionet shqiptare në përcaktimin e kritereve të përzgjedhjes, negociatat me tenderuesit, dhe dokumentimin e plotë të ankandit.

Sistemi energjetik i Shqipërisë mbështetet pothuasje plotësisht në energjinë ujore dhe prandaj burime alternative si nga dielli dhe era do të sigurojnë diversitet dhe siguri, ndërsa sigurohet gjithashtu edhe fleksibilitet ndaj faktorëve të ndryshimeve klimatike dhe reduktohen kostot.

Sekretariati Zviceran i Shtetit për Çështjet Ekonomike (SECO) është zyra kryesore e qeverisë së Zvicrës për çështjet ekonomike dhe bashkëpunimin ndërkombëtar për zhvillim ekonomik. Në dy dekadat e fundit Zvicra ka dhënë 40 milion franga (përafërsiht 37 milion Euro) si grante financuese për sektorin e energjisë në Shqipëri.