
Një prezantim i gjetjeve të sondazhit u zhvillua sot me aktorët kryesorë të sektorit të arsimit dhe formimit profesional, përfshirë grupin e punës nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë përgjegjës për dizenjimin e strategjisë së re për punësimin dhe aftësimin.
“Grupi i punës ka 8 muaj qe po punon për të kuptuar sfidat kryesore qe kemi për të pajisur të rinjtë më aftësitë e duhura për të ardhmen dhe per të identifikuar zgjidhje inovatore, në linjë me trendet e reja në tregun e punës. Për herë të parë Strategjia po konsultohet me të gjithë, dhe jemi të lumtur që kemi gjetur partnerin e duhur, me qasjet e duhura, për t’i dhënë peshën që i takon secilit aktor në këtë fushë”, tha Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Delina Ibrahimaj.
“Strategjia e re që do të udhëzojë punën për sistemin e arsimit dhe formimit profesional (AFP) në vitet e ardhshme është duke u hartuar. Gjithëpërfshirja dhe konsultimet e gjera janë faktorë suksesi për një kuadër të fortë politikash”, tha Patrik Meier, Zv. Shef i Misionit në Ambasadën e Zvicrës.
Disa gjetje interesante dalin nga sondazhi si për shembull: studentët e marrin informacionin mbi AFP dhe udhëzimet e karrierës në mënyrë informale nga familjet dhe rrjetet e tyre, ndërsa punësimi për studentët meshkuj është 3.5 herë më i lartë se sa për femrat. Ata gjithashtu vlerësojnë përparësitë që duhet të ketë për të përmirësuar ofertën e arsimit profesional dhe ku numri një është si të rritet punësueshmëria pas diplomimit.
Gjetje të tjera të rëndësishme përfshijnë tregues sasiorë që ndihmojnë për politikat dhe vendimmarrjen në vitet e ardhshme.
Sondazhi ishte pjesë e një fushate e cila përfshin studentët dhe i jep zë opinioneve dhe perpektivave të tyre me synim që të ushqehet puna e ardhshme në këtë fushë dhe të hartohen strategji më të mira në sektorin AFP.
‘Zhvillimi i Aftësive për Punësim’ është një projekt i mbështetur nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim SDC dhe e zbatuar nga UNDP Albania.