Zv. Presidenti dhe Ministri Alain Berset kreu vizitën ë parë në Shqipëri ku u takua me Zv. Kryeministrin Arben Ahmetaj, Ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Social Ogerta Manastirliu dhe Ministren e Financës dhe Ekonomisë Delina Ibrahimaj.
Vizita erdhi pasi Zvicra dhe Shqipëria ranë dakord që të bashkëpunojnë më ngushtë në fushën e sigurimeve shoqërore. Një marrëveshje e nënshkruar të premten më 18.02 siguron që shtetasit zviceranë dhe shqiptarë të marrin trajtim të barabartë përsa i përket të drejtave të tyre për sigurime shoqërore dhe të kenë qasje më të mirë ndaj këtyre përfitimeve.
“Zvicra po mbështet procesin e reformave në Shqipëri. Sot ne bëmë një hap tjetër të rëndësishëm drejt këtij synimi. Jam i bindur që marrëveshja mbi sigurimet shoqërore sjell ndryshim pozitiv për qytetarët tanë dhe për shkëmbimet ekonomike të të dy vendeve tona”, tha Ministri Berset.
Marrëveshja e re i mundëson qytetarëve që të marrin pensione edhe kur jetojnë jashtë vendit, ndërsa të dy qeveritë do kenë një bashkëpunim më të mirë në parandalimin e mashtrimeve dhe abuzimeve me sigurimet shoqërore. Ajo gjithashtu lehtëson lëvizshmërinë e qytetarëve zviceranë dhe shqiptarë dhe i mbron ata nga kontributet e dyfishta të sigurimeve shoqërore.
Zv. Presidenti Berset u takua me Zv. Kryeministrin Arben Ahmetaj dhe diskutoi mbi marrëdhëniet e shkëlqyera midis Shqipërisë dhe Zvicrës, dhe mbi përgjigjen ndaj krizave të tërmetit 2019 dhe pandemisë Covid-19. Ai gjithashtu takoi Ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu dhe vizitoi qendrën shëndetësore në Vorë, të renovuar më mbështetje zvicerane. Diskutimet u fokusuan në përpjekjet për t’u përballur me pandeminë, shtrirjen e vaksinimit, dhe përvojat e dy vendeve në trajtimin e krizës. Një temë tjetër ishte mbështetja zvicerane për sistemin shëndetësor në Shqipëri. Zvicra është aktualisht partneri kryesor dypalësh për Shqipërinë në sektorin shëndetësor.
Kjo ishte vizita e nivelit më të lartë nga zyrtarë zviceranë në vitet e fundit.