Shqipëria është Biodiversitet: nis fushata e re për të inkurajuar mbrojtjen e mjedisit natyror

Article, 02.10.2023

Një fushatë e mbështetur nga Zvicra, BE, Gjermania dhe Italia nisi në sheshin kryesor të Tiranës për të mbështetur edukimin mbi biodiversitetin në vend

Mural depicting Albania's endangered species unveiled in Tirana's main square, 02.10.2023
Murali që përshkruan speciet e rrezikuara të Shqipërisë zbulohet në sheshin kryesor të Tiranës, 02.10.2023. ©Heinrich Böll Stiftung

Nën sytë vëzhgues të rreth 200 pjesëmarrësve u zbulua një mural me përmasa të mëdha me mesazhin "Shqipëria është Biodiversitet". Pankarta 30x10 metra e bërë nga material i ricikluar imiton mozaikun e madh të Muzeut Historik Kombëtar pranë tij, përveç se në vend të figurave njerëzore që përfaqësojnë historinë e Shqipërisë, ai përshkruan speciet e rrezikuara të vendit.

“Jeta jonë, shëndeti dhe mirëqenia janë të lidhura me biodiversitetin. Kjo fushatë – duke filluar nga sot – do të synojë t'i bëjë të njohura publikut dhe autoriteteve çështjet dhe zgjidhjet”, tha Philipp Arnold, Zëvendës Shef i Misionit në Ambasadën e Zvicrës.

“Më thanë se rreth 30 për qind e të gjithë specieve të florës që ekzistojnë në Evropë mund të gjenden vetëm në Shqipëri. Kjo është një nga pasuritë më të mëdha të Shqipërisë. Kjo është ajo që e bën Shqipërinë kaq tërheqëse në sytë e kaq shumë njerëzve në të gjithë Evropën dhe më gjerë. Në të njëjtën kohë, siç e dimë, biodiversiteti i Shqipërisë është nën presion”, tha Luigi Soreca, Shef i Delegacionit të BE-së në Shqipëri.

Përgjatë disa javësh fushata do të synojë të nxisë kureshtjen dhe të kuptuarit e natyrës, ekosistemeve, specieve të rrezikuara dhe nevojës për t'i ruajtur dhe mbrojtur ato. Duke synuar veçanërisht brezin e ri dhe fëmijët e shkollës, disa diskutime, shfaqje filmash dhe shfaqje do të përcjellin mesazhin se ne duhet dhe mund të marrim masa për të mbrojtur ekosistemet dhe biodiversitetin.

Pavarësisht nga përmasat relativisht të vogla, Shqipëria ka një shkallë të lartë të biodiversitetit në bimë, peshq, zogj dhe kafshë. Megjithatë kjo është nën kërcënim për shkak të aktivitetit njerëzor, shpyllëzimit, erozionit, përdorimit të pakontrolluar të tokës, ndërtimit dhe ndotjes. Rritja e ndërgjegjësimit dhe masat aktive mund të zbusin këtë kërcënim dhe të ulin presionin mbi habitatet natyrore dhe ekosistemet.

'Shqipëria është Biodiversitet' është një nismë e OJQ-së “Mbrojtja dhe Ruajtja e Mjedisit Natyror në Shqipëri” – PPNEA – dhe Fondacionit Heinrich Böll. Përveç Zvicrës dhe BE-së, përkrahës të tjerë të kësaj fushate janë edhe ambasadat gjermane dhe italiane, dhe Vodafone.