Forumi i Parë Kombëtar për Cilësinë dhe Standardet nxit dialogun mbi eksportet bujqësore

Press releases, 22.11.2023

Përputhja me standardet ndërkombëtare tek produktet bujqësore u diskutua në Forumin e Parë Kombëtar për Cilësinë dhe Standardet

Swiss Ambassador Ruth Huber addressing the forum on quality and standards, Tirana, 21.11.2023
Ambasadorja zvicerane Ruth Huber i drejtohet forumit mbi cilësinë dhe standardet, Tiranë 21.11.2023.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Organizata e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim Industrial (UNIDO), me mbështetjen dhe financimin e Sekretariatit Shtetëror Zviceran për Çështjet Ekonomike SECO, organizuan Forumin e Parë Kombëtar për Cilësi dhe Standarde.

Forumi Kombëtar për Cilësinë dhe Standardet #2023 synon të inkurajoj një komunikim konstruktiv për nevojën e krijimit të një kulture cilësore për prodhuesit, institucionet dhe konsumatorët përfundimtarë.

Në fjalën e mbajtur me këtë takim, Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj u shpreh se, “rritja e cilësisë dhe standardeve të produkteve bujqësore, mbetet thelbësor në zhvillimin e qëndrueshëm të prodhimit agroushqimor; integrimin e inovacionit në bujqësi, bashkimin e operatorëve dhe realizimin e objektivit për 1 miliard USD eksporte shqiptare në 2030″.

Sipas saj, vitet e fundit, Shqipëria ka përjetuar një transformim të thellë ekonomik, duke shënuar rritje të ndjeshme në sektorin bujqësor dhe një zgjerim të dukshëm të turizmit me ndikim të drejtpërdrejtë edhe në ekonominë bujqësore.

“Ndërmarrjet shqiptare kanë nevojë të përputhen me standardet ndërkombëtare dhe Europiane për të rritur konkurrueshmërinë e tyre. Nuk mund të hysh në tregun europian pa përmbushur më parë standardet europiane”, tha ambasadorja zvicerane Ruth Huber.

Dorina Nati, koordinatore e GQSP në Vjenë, u shpreh se: “Shqipëria ka shprehur një ambicie shumë të madhe për t’iu bashkuar qëllimeve të larta të cilësisë dhe standardeve. Prodhuesit e vegjël dhe të mesëm duhet të jenë të mirë informuar për inovacionet dhe digjitalizimin, i cili nuk rrit vetëm produktivitetin në sasi por edhe në cilësi dhe standard.

Programi Global për Cilësi dhe Standarde bëri bashkë drejtues të insitucioneve ligjzbatuese dhe grupe interesi, ku theksi u vendos mbi rëndësinë e mbështejtes së ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme mbi rritjen e cilësisë dhe standardeve nëpërmjet digjitalizmit të sektorëve.

Programi GQSP është pjesë e një nisme globale që mbështet 12 vende në mbarë botën për të rritur potencialin e prodhimit vendas dhe për të rritur cilësinë dhe standardet e sigurisë. Zbatimin e bën Organizata e Kombeve të Bashkuar për Zhvillim Industrial (UNIDO) dhe financohet nga Shteti Zviceran, përmes Sekretariatit Shtetëror për Çështje Ekonomike (SECO).